Federata e Futbollit e Kosovës ka pritur në një takim zyrtar Nuno Castro, përgjegjësin e Konventës së Referëve për Kosovën, i deleguar nga UEFA, në një vizitë që u vlerësua si shumë e rëndësishme për zhvillimin dhe avancimin e referimit në vend.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale të referimit në Kosovë, sfidat me të cilat përballen gjyqtarët, si dhe objektivat për ngritjen profesionale dhe forcimin e standardeve në futbollin kosovar. Në fokus ishte edhe mbështetja e vazhdueshme e UEFA-s për sistemin e referimit dhe krijimi i më shumë mundësive për gjyqtarët kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Sipas FFK-së, përvoja dhe vizioni i Nuno Castro do të jenë një ndihmë e rëndësishme për avancimin e referimit në Kosovë, ndërsa bashkëpunimi me UEFA-n konsiderohet kyç në rrugën drejt profesionalizmit, integritetit dhe rritjes së cilësisë së garave.
Në takim u theksua se Kosova po dëshmon vazhdimisht se ka potencial, talent dhe kapacitete për të ndërtuar një sistem modern dhe të besueshëm të referimit, në përputhje me standardet evropiane.
Po ashtu, u shpreh gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FFK-së dhe UEFA-s, me synimin që referimi kosovar të vazhdojë të zhvillohet dhe të përfaqësohet sa më denjësisht në nivel ndërkombëtar.
Vizita e Castro u konsiderua si një tjetër sinjal i mbështetjes së institucioneve evropiane të futbollit për zhvillimin e futbollit dhe referimit në Kosovë.
