Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për Gani Gecin, i cili dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Mehmetaj dyshohet se u kanos nga Geci për shkak të një postimi në Facebook për deputetin e Vetëvendosjes, Fatos Geci, i cili është nip i Gani Gecit.
Sipas Prokurorisë, Geci kishte shkuar në vendin e punës të gazetarit Mehmetaj dhe i kishte kërkuar atij ta fshijë këtë postim. Pas refuzimit të gazetarit, Geci e ka kanosur drejtpërdrejt me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra“.
Një ditë pasi e kishte kanosur në zyrën e tij Mehmetajn dhe pasi ky e kishte raportuar në polici, Geci me veturën e tij ishte parkuar para televizionit Dukagjini ku gazetari ishte në një emision dhe e kishte pritur. Më pas Geci u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.
