Në vitin 1979, Zonja e Hekurt mori drejtimin e një vendi të përçarë nga konfliktet sindikale, të goditur nga stagflacioni dhe të dobësuar nga dekada qeverisjeje paternaliste.
Këtë vjeshtë mbushen 30 vjet që kur Margaret Thatcher u largua nga Downing Street 10, pasi kishte qenë gruaja e parë në postin e kryeministrit britanik dhe personi që e mbajti më gjatë këtë detyrë gjatë shekullit XX. Çfarë periudhe e jashtëzakonshme qeverisjeje ishte!
Në vitin 1979, Zonja e Hekurt mori drejtimin e një vendi të përçarë nga konfliktet sindikale, të goditur nga stagflacioni dhe të dobësuar nga dekada qeverisjeje paternaliste. Britania përballej me vështirësi në çdo front, si «e sëmura e Evropës». Në pjesën më të madhe, Thatcher nuk propozonte që problemet e mëdha të zgjidheshin me ndërhyrje të vogla, siç sugjeronin politikanë të tjerë të druajtur ose pa parime. Ajo iu përvesh punës që, sipas fjalëve të saj, «të ngushtonte kufijtë e ndërhyrjes së shtetit».
Ajo donte ta rigjallëronte vendin duke rikthyer kulturën e sipërmarrjes dhe respektin për pronën private. Gjatë mandatit të dytë nga tri mandatet e saj, ia rikujtoi kombit këto synime:
«E mora detyrën me një qëllim të qartë: ta shndërroja Britaninë nga një shoqëri e varur nga të tjerët në një shoqëri që mbështetet te forcat e veta — nga një komb që thotë “ma jep”, në një komb që thotë “bëje vetë”. Një Britani që ngrihet dhe vepron, në vend të një Britanie që rri dhe pret.»
Si grua me bindje të forta, ajo mendonte se njerëzit pa parime në qeveri meritonin të binin nga pushteti, sepse kishin tepër frikë të mbanin një qëndrim. Asaj i interesonte më shumë të bënte atë që e mendonte të drejtë sesa atë që ishte politikisht e pranueshme. Këtë e dëshmon edhe kjo thënie e saj e njohur:
«Për mua, konsensusi duket si procesi i braktisjes së të gjitha bindjeve, parimeve, vlerave dhe politikave, në kërkim të diçkaje tek e cila nuk beson askush, por të cilën nuk e kundërshton askush.»
Në një mbledhje për politikat që duheshin ndjekur, ajo nxori nga çanta një kopje të librit Kushtetuta e lirisë të F. A. Hayekut, e përplasi mbi tavolinë dhe deklaroi: «Kjo është ajo në të cilën besojmë!»
Në një rast tjetër, vërejti se «marksistët ngrihen herët në mëngjes për ta çuar përpara kauzën e tyre. Ne duhet të ngrihemi edhe më herët për ta mbrojtur lirinë tonë».
Ajo sfidoi bindjet e rrënjosura për «tavanin e qelqtë», barrierën e padukshme me të cilën përballeshin gratë në politikën britanike. Dhe i kuptonte problemet e njerëzve të zakonshëm. Në një intervistë të vitit 1971, tha:
«E nisa jetën me dy përparësi të mëdha: pa para dhe me prindër të mirë.»
Deregullimi dhe përparimi
Politikat e saj, fillimisht me pasoja të dhimbshme, e nxorën vendin nga amullia dhe e çuan drejt një epoke të re përparimi e besimi në vetvete. Njëmbëdhjetë vitet e saj në krye të Britanisë dëshmuan se një program i fuqishëm privatizimi, deregulimi dhe uljeje taksash është një kundërhelm i efektshëm ndaj kolektivizmit shkatërrimtar.
Ajo bëhej gjithnjë e më skeptike ndaj Bashkimit Evropian, pjesërisht për shkak të prirjes së tij për burokraci dhe rregullim të tepruar, e pjesërisht për shkak të përpjekjes për t’i njëtrajtësuar veçoritë që e bënin secilin vend të veçantë.
Thatcher vdiq më 2013, por, po të kishte jetuar edhe shtatë vjet, me gjasë do ta kishte përshëndetur Brexit-in, i cili më në fund u realizua muajin e kaluar. Në vitin 1991, ajo i tha Dhomës së Komunave:
«Sovraniteti ynë nuk vjen nga Brukseli — ai na përket neve me të drejtë dhe si trashëgimi.»
Në librin e saj të vitit 2002, Arti i qeverisjes: Strategji për një botë në ndryshim, ajo shkruan:
«“Evropa”, në çdo kuptim tjetër përveç atij gjeografik, është një konstrukt krejtësisht artificial. Nuk ka aspak kuptim t’i fusësh në të njëjtin thes Beethovenin dhe Debussynë, Voltaire-in dhe Burke-un, Vermeerin dhe Picasson, Notre-Dame-in dhe Katedralen e Shën Palit, mishin e zier të viçit dhe supën bouillabaisse, e t’i paraqesësh si elemente të një realiteti “evropian” muzikor, filozofik, artistik, arkitekturor apo gastronomik. Nëse Evropa na magjeps, siç më ka magjepsur mua aq shpesh, kjo ndodh pikërisht për shkak të kontrasteve dhe kundërthënieve të saj, jo për shkak të njëtrajtshmërisë dhe vazhdimësisë së saj.»
Sigurisht, ajo nuk ishte e përsosur dhe bënte kompromise aty ku mendonte se ishte e detyruar. Por kishte të drejtë për tablonë e përgjithshme, veçanërisht për të këqijat e socializmit dhe virtytet e lirisë.
Siç shkrova në homazhin tim të vitit 2013, me rastin e vdekjes së saj, të titulluar Shëmti nga ide të shëmtuara:
«Socialistët e përbuznin sepse u kundërvihej, vinte në pikëpyetje dhembshurinë e tyre të rreme dhe guxonte ta demaskonte etatizmin si kultin e pakuptimtë e çnjerëzues që është. Me retorikën e saj, ajo ia shqyente dorezën prej kadifeje grushtit të hekurt dhe e përshkruante socializmin e shtetit të mirëqenies si ujk me lëkurë deleje. Këto janë gjëra që adhuruesit e shtetit nuk mund t’i durojnë.»
Ndërsa në Amerikë po zhvillohet ky vit zgjedhjesh presidenciale, nuk mund të mos pyes veten se çfarë do të mendonte Margaret Thatcher për politikanët tanë dhe premtimet e tyre. Pa dyshim, do t’i dënonte zakonet e këqija të Uashingtonit për shpenzime dhe borxhe, të përbashkëta për të dyja partitë.
Megjithatë, mendoj se do të ruante një përçmim të veçantë për ata demagogë që blejnë vota duke nxitur luftën e klasave dhe duke promovuar socializmin e çfarëdo lloji. Mund ta përfytyroj fare lehtë duke e qortuar Bernie Sandersin me fjalë të tilla:
«Atë që po e predikon ti, e kemi provuar tashmë dhe ka dështuar mjerisht. Piqhu, gjej më në fund një punë të vërtetë dhe mëso diçka nga historia dhe ekonomia!»
Mendimet e saj për socializmin
Por nuk keni pse të mbështeteni te fjala ime. Këtu po paraqes disa nga vërejtjet më të mprehta të Margaret Thatcherit për socializmin, ndaj të cilit disa amerikanë duket se ndiejnë tërheqje këto ditë. Ato janë bërë përgjatë disa dekadave të jetës së saj publike:
1. «Është mirë të kujtojmë se si është fituar liria në këtë vend: jo përmes fushatave të mëdha abstrakte, por përmes kundërshtimit të burrave dhe grave të zakonshme ndaj marrjes së parave të tyre nga shteti. Në kohët e hershme, njerëzit u bashkuan dhe i thanë qeverisë së atëhershme: “Nuk do të na i merrni paratë pa ua dhënë më parë zgjidhjen ankesave tona.” Ishin paratë e tyre, pasuria e tyre, burimi i pavarësisë së tyre përballë qeverisë.»
2. «Arsyeja filozofike për të cilën jemi kundër shtetëzimit dhe në favor të sipërmarrjes private është se besojmë që përparimi ekonomik buron nga aftësia shpikëse, zotësia, vendosmëria dhe fryma pioniere e burrave dhe grave të jashtëzakonshme. Nëse nuk mund ta vënë në jetë atë frymë këtu, do të largohen drejt një vendi tjetër me sipërmarrje të lirë, i cili pastaj do të përparojë ekonomikisht më shumë se ne. Në të vërtetë, ne duhet t’i nxisim bizneset dhe kompanitë e vogla, sepse kontributi i tyre në inovacion është i jashtëzakonshëm.»
3. «Më sulmuan se po bëja një luftë mbrojtëse në shërbim të “interesave të klasës së mesme”… Epo, nëse “vlerat e klasës së mesme” përfshijnë nxitjen e larmisë dhe të zgjedhjes individuale, sigurimin e stimujve dhe shpërblimeve të drejta për zotësinë dhe punën e palodhur, ruajtjen e pengesave të efektshme ndaj pushtetit të tepruar të shtetit dhe besimin se prona private duhet të jetë e shpërndarë gjerësisht ndër individë, atëherë pikërisht këto po përpiqem t’i mbroj. Kjo nuk është luftë për “privilegje”; është luftë për liri — liri për çdo qytetar.»
4. «Sfida jonë është të krijojmë ato kushte ekonomike që i lejojnë nismës dhe sipërmarrjes private të lulëzojnë në dobi të konsumatorit, punonjësit, pensionistit dhe shoqërisë në tërësi… Besoj se njerëzit duhet t’i gjykojmë sipas meritës dhe jo sipas prejardhjes. Besoj se ai që është i gatshëm të punojë më fort duhet të marrë shpërblimin më të madh dhe ta mbajë atë edhe pas tatimit. Duhet t’i mbështesim ata që punojnë, jo ata që i shmangen punës; dëshira për ta përmirësuar jetën e familjes sate me përpjekjet e tua nuk është vetëm e lejueshme, por edhe e lavdërueshme.»
5. «Kam një bindje të thellë — madje një besim të zjarrtë — në virtytet e mbështetjes te forcat e veta dhe të pavarësisë personale. Mbi këto mbështetet e gjithë ideja e shoqërisë së lirë: pohimi se përparimi njerëzor arrihet më së miri duke ofruar hapësirën më të lirë të mundshme për zhvillimin e talenteve individuale, me të vetmin kufizim respektin për cilësitë dhe lirinë e të tjerëve…
Për shumë vjet ka pasur një gërryerje të heshtur të virtyteve thelbësore të shoqërisë së lirë. Mbështetja te forcat e veta është përqeshur sikur të ishte një pretendim absurd i shtresës së mesme periferike. Kursimi është përçmuar sikur të ishte lakmi. Është përbuzur dëshira e prindërve për të zgjedhur dhe për t’u përpjekur për atë që vetë e konsideronin arsimimin më të mirë të mundshëm për fëmijët e tyre.»
6. «Pavarësisht gjithë kësaj, nuk besoj se njerëzit e këtij vendi e kanë braktisur besimin te cilësitë dhe tiparet që i bënë një popull të madh. Aspak. Jemi ende i njëjti popull. E vetmja gjë që ka ndodhur është se përkohësisht kemi humbur besimin në forcën tonë. I kemi humbur nga sytë flamujt. Trumbetat kanë dhënë një tingull të pasigurt.
Është detyra dhe qëllimi ynë t’i ngremë lart ata flamuj, që t’i shohin të gjithë; t’u biem trumbetave qartë dhe me guxim, që t’i dëgjojnë të gjithë. Atëherë nuk do të kemi nevojë t’i bindim njerëzit t’i përqafojnë parimet tona. Ata thjesht do të mblidhen rreth atyre parimeve që, në të vërtetë, janë të tyret.»
7. «Nuk do të pushoj kurrë së luftuari. Jam e vendosur që ky vend të mbijetojë, të begatohet dhe të jetë i lirë… Nuk kam luftuar për më shumë se njëzet vjet kundër forcave shkatërrimtare të socializmit për t’u ndalur tani, kur kemi hyrë në fazën vendimtare të kësaj përballjeje.»
8. «Cilat janë, pra, mësimet që kemi nxjerrë nga tridhjetë vjetët e fundit? Së pari, se kërkimi i barazisë në vetvete është një mirazh. Më e dëshirueshme dhe më e realizueshme sesa kërkimi i barazisë është përpjekja për mundësi të barabarta. Dhe mundësitë nuk kanë kuptim nëse nuk përfshijnë të drejtën për të mos qenë të barabartë dhe lirinë për të qenë të ndryshëm.
Një nga arsyet pse i çmojmë individët nuk është se janë të gjithë njësoj, por se janë të gjithë të ndryshëm. Besoj se në Perëndimin e Mesëm keni një shprehje: “Mos i prit lulëkuqet që ngrihen mbi të tjerat. Lëri të rriten lart.”
Unë do të thosha: le t’i lëmë fëmijët tanë të rriten lart, e disa më lart se të tjerët, nëse e kanë aftësinë për këtë. Sepse duhet të ndërtojmë një shoqëri ku çdo qytetar mund ta zhvillojë plotësisht potencialin e vet, si për të mirën personale, ashtu edhe për të mirën e komunitetit në tërësi; një shoqëri ku origjinaliteti, zotësia, energjia dhe kursimi shpërblehen dhe ku e nxisim, në vend që ta kufizojmë, larminë dhe pasurinë e natyrës njerëzore.»
9. «Më lejoni t’jua paraqes vizionin tim. E drejta e njeriut për të punuar siç dëshiron, për t’i shpenzuar të ardhurat që fiton, për të pasur pronë dhe për ta pasur shtetin shërbëtor e jo zot — këto janë trashëgimia britanike. Ato përbëjnë thelbin e një ekonomie të lirë. Dhe nga kjo liri varen të gjitha liritë tona të tjera.»
10. «Disa socialistë duket se besojnë që njerëzit duhet të jenë numra në një kompjuter të shtetit. Ne besojmë se duhet të jenë individë. Të gjithë jemi të pabarabartë. Falë Zotit, askush nuk është njësoj si dikush tjetër, sado që socialistët mund të pretendojnë të kundërtën. Ne besojmë se secili ka të drejtë të jetë i pabarabartë me të tjerët, por, për ne, çdo qenie njerëzore ka rëndësi të barabartë.»
11. «Socialistët na thonë se në një industri të caktuar ka fitime të mëdha dhe se ato nuk duhet t’u shkojnë aksionarëve, por përfitimet duhet t’i marrë publiku. Përfitime? Çfarë përfitimesh? Kur e kalon në pronësi publike një industri fitimprurëse, fitimet zhduken shpejt. Pata që bënte vezë të arta nis të klloçisë. Patat e shtetit nuk shquhen për prodhimin e vezëve.
Industria e çelikut u shtetëzua disa vjet më parë në interes të publikut — por tani publikut i ka mbetur vetëm të ndjekë spektaklin dëshpërues të parave të tij që shkojnë dëm me ritmin e një milion paundëve në ditë.»
12. «Ka të tjerë që paralajmërojnë jo vetëm për kërcënimin nga jashtë, por edhe për diçka më tinëzare, që nuk dallohet lehtë dhe nuk është gjithmonë e qëllimshme: diçka që po ndodh këtu, brenda vendit. Për çfarë e kanë fjalën? Për zgjerimin e vazhdueshëm dhe të pamëshirshëm të shtetit socialist.
Askush prej nesh nuk do të pretendonte se shumica e socialistëve udhëhiqen nga diçka tjetër përveç idealeve njerëzore dhe qëllimeve të mira. Por, njëkohësisht, besoj se sot të paktë do të ishin ata që do ta mohonin se kanë krijuar një përbindësh që nuk mund ta kontrollojnë.
Gjithnjë e më shumë, në mënyrë të pandalshme, shteti që kanë krijuar socialistët po bëhet më arbitrar në drejtësinë ekonomike dhe shoqërore që synon të ofrojë, më mbytës për aspiratat dhe nismën njerëzore, më përzgjedhës politikisht në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vet, më i pangopur në kërkesat e tij — dhe më katastrofikisht i paaftë në veprimtarinë e vet.
Mbi të gjitha, ai përbën një kërcënim në rritje, sado të paqëllimshëm, për lirinë e këtij vendi, sepse nuk ka liri aty ku shteti e kontrollon plotësisht ekonominë. Liria personale dhe liria ekonomike janë të pandashme. Nuk mund ta kesh njërën pa tjetrën. Nuk mund ta humbasësh njërën pa e humbur tjetrën.»
13. «Një nga përparësitë tona kryesore dhe të vazhdueshme, kur të rikthehemi në qeveri, do të jetë rivendosja e lirive që socialistët kanë uzurpuar. Le ta mësojnë se funksioni i shtetit nuk është të zotërojë sa më shumë. Funksioni i shtetit nuk është të rrëmbejë aq sa mundet pa u penguar.
Funksioni i shtetit nuk është të sillet si drejtuesi i një cirku, të kërcasë kamxhikun, të diktojë barrën që duhet të mbajmë të gjithë ose të na tregojë sa lart mund të ngjitemi. Funksioni i shtetit nuk është të sigurojë që askush të mos ngjitet më lart se dikush tjetër.
E gjithë kjo është filozofia e socializmit. Ne e hedhim poshtë plotësisht, sepse, sado qëllimmirë të jetë, ajo të çon vetëm në një drejtim: drejt gërryerjes dhe, në fund, shkatërrimit të mënyrës demokratike të jetesës.»
14. «Nuk ekziston socializëm “i sigurt”. Nëse është i sigurt, nuk është socializëm. Dhe nëse është socializëm, nuk është i sigurt. Tabelat orientuese të socializmit tregojnë tatëpjetën: drejt më pak lirie, më pak begatie, më shumë rrëmuje dhe më shumë dështimesh. Nëse i ndjekim deri në fund, ato do ta çojnë këtë komb drejt falimentimit.»
15. «Suksesi ekonomik i botës perëndimore është produkt i filozofisë dhe praktikës së saj morale. Rezultatet ekonomike janë më të mira sepse filozofia morale është më e mirë. Ajo është më e mirë sepse nis nga individi, nga veçantia e tij, përgjegjësia e tij dhe aftësia e tij për të zgjedhur.
Pa dyshim, kjo është pafundësisht më e parapëlqyeshme se filozofia socialiste-etatiste, e cila ngre një sistem ekonomik të centralizuar të cilit individi duhet t’i përshtatet, që e nënshtron, e drejton dhe ia mohon të drejtën e zgjedhjes së lirë.
Zgjedhja është thelbi i etikës: po të mos kishte zgjedhje, nuk do të kishte etikë, as të mirë, as të keqe; e mira dhe e keqja kanë kuptim vetëm për aq sa njeriu është i lirë të zgjedhë.»
16. «Në filozofinë tonë, qëllimi i jetës së individit nuk është të jetë shërbëtor i shtetit dhe i synimeve të tij, por t’i shfrytëzojë sa më mirë talentet dhe cilësitë e veta.
Ndjesia se mbështetesh te forcat e tua, se luan një rol brenda familjes, se zotëron pronën tënde dhe se i përballon vetë shpenzimet e tua — të gjitha këto janë pjesë e asaj peshe shpirtërore që i jep qëndrueshmëri qytetarisë së përgjegjshme. Ato sigurojnë themelin e fortë prej të cilit njerëzit shohin përreth për të kuptuar se çfarë mund të bëjnë më shumë, për të tjerët dhe për veten.
Këtë kuptojmë ne me një shoqëri morale; jo një shoqëri ku shteti është përgjegjës për gjithçka dhe askush nuk është përgjegjës për shtetin.»
17. «Sapo t’u jepni njerëzve idenë se të gjitha këto mund t’i bëjë shteti dhe se t’ua lësh individëve privatë është disi një zgjidhje më e dobët, madje edhe poshtëruese… atëherë do të filloni t’ua hiqni qenieve njerëzore një nga përbërësit thelbësorë të njerëzores: përgjegjësinë morale personale. Në të vërtetë, do t’ua thani burimin e mirësisë njerëzore.
Nëse i lejoni njerëzit t’ia dorëzojnë shtetit të gjithë përgjegjësinë e tyre personale, do të vijë koha — në fakt, është shumë pranë — kur ajo që tatimpaguesi është i gatshëm të japë për të mirën e njerëzimit do të shihet se është shumë më e pakët se ajo që individi dikur ishte i gatshëm të jepte nga dashuria për të afërmin.
Prandaj, mos u tundoni ta barazoni virtytin me kolektivizmin. Pyes veten nëse shërbimet shtetërore do të kishin bërë për njeriun që ra në duart e kusarëve aq sa bëri Samaritani i Mirë.»
18. «Kapitalizmi popullor, që është shprehja ekonomike e lirisë, po dëshmohet si një mënyrë shumë më tërheqëse për ta shpërndarë pushtetin në shoqërinë tonë.
Socialistët thërrasin “Pushtet popullit!” dhe, ndërsa e thonë këtë, ngrenë grushtin e shtrënguar. Të gjithë e dimë se çfarë nënkuptojnë në të vërtetë: pushtet mbi njerëzit, pushtet për shtetin.
Për ne konservatorët, kapitalizmi popullor do të thotë pikërisht atë që thotë: pushtet përmes pronësisë për burrin dhe gruan e zakonshme, i dhënë me besim dhe me dorë të hapur.»
19. «Mendoj se kemi kaluar një periudhë kur tepër shumë fëmijëve dhe njerëzve u është krijuar bindja: “Kam një problem, është detyra e qeverisë të merret me të!” Ose: “Kam një problem, do të shkoj të marr një grant për ta zgjidhur!” “Jam i pastrehë, qeveria duhet të më sigurojë strehim!”
Kështu, ata ia hedhin problemet e tyre shoqërisë. Por kush është shoqëria? Nuk ekziston një gjë e tillë! Ka burra dhe gra individuale dhe ka familje; asnjë qeveri nuk mund të bëjë asgjë përveçse përmes njerëzve, dhe njerëzit kujdesen së pari për veten.
Është detyra jonë të kujdesemi për veten dhe pastaj të ndihmojmë edhe në kujdesin për të afërmin. Jeta është marrëdhënie e ndërsjellë, ndërsa njerëzit mendojnë tepër për të drejtat që u takojnë dhe jo mjaftueshëm për detyrimet.
Nuk ekziston një gjë e tillë si shoqëria. Ekziston një sixhade e gjallë burrash, grash e njerëzish, dhe bukuria e saj, ashtu si cilësia e jetës sonë, do të varet nga gatishmëria e secilit prej nesh për të marrë përgjegjësi për veten dhe për t’u kthyer nga të tjerët e për t’i ndihmuar, me përpjekjet tona, ata që janë më pak fatlumë.»
20. «I vura vetes synim ta shkatërroja socializmin, sepse mendoja se binte ndesh me karakterin e popullit. Ishim vendi i parë në botë që i zmbrapsëm kufijtë e socializmit dhe pastaj i zgjeruam kufijtë e lirisë. E rimorëm trashëgiminë tonë; po e ripërtërijmë dhe po e çojmë përpara.»
Lawrence W. («Larry») Reed është president emeritus i Fondacionit për Edukim Ekonomik (FEE), studiues i lartë në kuadër të programit të Familjes Humphreys dhe ambasador global Ron Manners për Lirinë. Më parë shërbeu si president i FEE-së gjatë viteve 2008–2019. Në vitet 1990 drejtoi bordin e tij të besuar dhe ka shkruar e mbajtur fjalime për FEE-në që nga fundi i viteve 1970.
