Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Çështjeve Europiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim i Belgjikës, Maxime Prévot.
Më pas, në orën 15:15, ai do të mbajë takim me homologun e tij kosovar, zv. kryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në objektin e ministrisë përkatëse.
Krejt në fund, në orën 16:00 ai do të takohet me Ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, në Presidencë.
Në vitin 2025, ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe ajo e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, patën një vizitë treditore në Shqipëri dhe në Kosovë, e cila u përqendrua në mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimin e një burgu në njërin prej këtyre shteteve.
Në rastin me Belgjikën, gjatë vizitës së dy ministreve, mediat belge raportuan se në Kosovë do të zhvillohen bisedime për nënshkrimin e një traktati për ndihmë juridike, i cili, sipas Belgjikës do të synojë të forcojë në mënyrë strukturore bashkëpunimin për çështjet penale. Mirëpo, nga Presidenca e Kosovës nuk dhanë detaje për KALLXO.com, se çka saktësisht u negociua mes ministreve dhe atëkohë presidentes Vjosa Osmani.
Përveç kësaj, Kosova ka marrëveshje me Danimarkën për shfrytëzimin e burgjeve. Si rezultat, 300 të burgosur nga Danimarka është planifikuar të arrijnë në Kosovë në prill të vitit 2027.
Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, është ratifikuar më 23 maj 2024 në Kuvendin e Kosovës.
Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihet që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit. Në këmbim të kësaj, Kosova parashihet të ketë një përfitim prej mbi 200 milionë euro.


