Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Alush Gashit, një prej figurave më të respektuara të mjekësisë dhe jetës publike në Kosovë. Ai la pas një rrugë të gjatë shërbimi, përkushtimi dhe dinjiteti, duke u bërë shembull i njeriut që i qëndron besnik vendit dhe profesionit deri në fund.
‘Lamtumirë, Dr. Alush Gashi, kolosi i dijes dhe patriotizmit
Sot, Kosova humbi një nga personalitetet e saj më të shquara. U nda nga jeta Dr. Alush Gashi, mjeku dhe intelektuali i rrallë që në kohët më të vëshira i shërbeu me dinjitet, profesionalizëm dhe një dashuri të palëkundur atdheut. Ai ishte i urtë, por edhe trim.
Figura e tij i tejkaloi kufijtë e mjekësisë. Dr. Alush Gashi ishte një politikan vizionar dhe një diplomat i hollë, i cili ndërtoi ura të rëndësishme bashkëpunimi me SHBA-të, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin tonë shtetformues.
Për 15 vite, pata fatin e madh të punoj e të veproj krah tij. Kam parë nga afër përkushtimin e tij të pashoq, qetësinë përballë sfidave dhe mençurinë që udhëhiqte çdo vendim të tij.
Ai po largohet për të pushuar i qetë në amshim, krah kolosëve të tjerë të kombit, duke na lënë pas një trashëgimi të pasur vlerash.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, bashkëshortes, djemve Arbanit e Anilit, si dhe vëllezërve Afrimit e Aliut.
Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me ju. Kujtimi për Dr. Alush Gashin do të mbetet i gjallë përherë në kujtesën tonë kolektive.’, ka shkruar Ademi, president i FFK-së!
