Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në emisionin “AS” në RTK, ka shprehur optimizmin e tij për rrugëtimin e “Dardanëve” në ciklet e ardhshme kualifikuese.
Duke komentuar ndeshjet e fundit ndaj Turqisë në finale të “play-off”-it për Botëror 2026, Ademi pranoi se pritshmëritë ishin të larta, derisa foli edhe për përparimin e madh të futbollit tonë.
Ai kujtoi progresin e madh të Kosovës në ranglistën e FIFA-s: “Nga vendi i 211-të kur u pranuam në UEFA dhe FIFA, sot jemi në vendin e 78-të. Jemi ngritur në Ligën B të Ligës së Kombeve, që është një hap i madh”, ka nënvizuar i pari i FFK-së.
Ademi vlerësoi punën e selektorit Foda dhe bashkëpunëtorëve, duke shtuar se projekti është në realizim e sipër: “Trajnerin e mbajnë rezultatet, por jam i kënaqur me punën. Do të isha shumë i lumtur nëse kualifikohemi në Evropian, sepse gjithë puna bëhet për atë qëllim”.
