Sipas raportit të datës 28 gusht 2026, të cilin e ka siguruar Periskopi, kërkesa ishte dorëzuar më 21 gusht në adresën elektronike zyrtare të Degës së LDK-së në Prizren nga Adrian Boçaj, si njëri prej nënshkruesve të nismës. Kërkesës i ishte bashkëngjitur një listë me 37 nënshkrime të delegatëve.
Megjithatë, gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, Komisioni ad-hoc ka konstatuar se një pjesë e nënshkruesve kanë kërkuar të tërheqin nënshkrimet e tyre.
Sipas raportit, deri më 28 gusht në administratën e Degës janë dorëzuar 8 deklarata me shkrim, përmes të cilave delegatët kanë shprehur vullnetin për të hequr dorë nga nënshkrimet e tyre paraprake.
Komisioni ka marrë për bazë nenin 43.3 të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili përcakton se Kuvendi i Degës thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin.
Në rastin e Degës së LDK-së në Prizren, Kuvendi përbëhet nga 96 delegatë, që do të thotë se për përmbushjen e kriterit statutor nevojiten të paktën 32 nënshkrime.
Pas tërheqjes së tetë nënshkrimeve nga lista fillestare prej 37 personash, Komisioni ka konstatuar se kanë mbetur vetëm 29 delegatë që e mbështesin kërkesën. Kjo është më pak se minimumi prej 32 nënshkrimesh të kërkuara nga Statuti.
Në përfundim, Komisioni ad-hoc ka konstatuar se kërkesa për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Degës së LDK-së në Prizren nuk e përmbush kriterin statutor lidhur me numrin e nevojshëm të delegatëve nënshkrues.
Për këtë arsye, Komisioni ka rekomanduar që kërkesa të konsiderohet e papranueshme për shkak të mosplotësimit të kriterit statutorsa i përket numrit të nevojshëm të delegatëve nënshkrues.



