Ferizaj nuk është në situatë të mirë.
Pas rënies nga elita e futbollit të Kosovës, Ferizaj ballafaqohet edhe me probleme tjera.
Presidenti i FC Ferizajt, Lulzim Abazi, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në klub dhe raportimet për probleme të brendshme me aksionarët.
“Sa i përket shkrimit tuaj, bazuar në disa burime, mund të konstatoj se kemi disa probleme, sidomos pas padrejtësisë që, sipas nesh, ndodhi në humbjen e finales së Kupës së Kosovës.
Nuk mund të them se klubi është në kaos, por duhet të shohim se si do të ecë puna nga tani e tutje. E vërteta është se në vazhdimësi na ka shkaktuar probleme aksionari Xhevat Rushiti, i cili nuk i përgjigjet asnjë detyrimi dhe mban të bllokuara 30 për qind të aksioneve të klubit.
I njëjti person është edhe kryetar te Dinamo dhe, pa asnjë arsye, vazhdon ta mbajë të bllokuar këtë 30 përqindësh, ndërsa njëkohësisht vazhdon punën te Dinamo. Duhet ta njoftoj opinionin ferizajas se një ndër problemet që kemi pasur në pesë vitet e fundit po na shkaktohet nga Xhevat Rushiti, me qëllim ose pa qëllim”, deklaroi Abazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Presidenti i Ferizajt bëri të ditur edhe hapat që klubi synon t’i ndërmarrë në vazhdim.
“Hapat konkretë që do të ndërmarrim do t’i bëjmë publike. Do të tentojmë të merremi me çështjen e aksionarit Xhevat Rushiti, pasi ai vazhdon aktivitetin te klubi Dinamo, gjë që paraqet konflikt interesi duke qenë pjesë e dy klubeve dhe duke pasur qasje në të dyja.
Ligjet dhe propozicionet e garave nuk e lejojnë që një person të jetë i përfshirë në dy klube në të njëjtën kohë. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një zgjidhje, kjo mund të paraqesë problem serioz për mbarëvajtjen dhe vazhdimin e garave.
I bëj ftesë publike Xhevat Rushitit që të gjejë forcën të largohet nga FC Ferizaj dhe ta vazhdojë punën te klubi ku aktualisht është, Dinamo. Në të kundërtën, le t’i kryejë obligimet që i ka si aksionar. FC Ferizajt të mos i shkaktojë probleme”, përfundoi Abazi.
