Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë një ftesë zyrtare për pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare “Mediterranean Games Taranto 2026”, që do të mbahen në muajt gusht dhe shtator në Taranto.
Ftesa është dërguar nga Federata Italiane e Futbollit dhe përfshin ekipet e reja të Kosovës, si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe të femrave.
Megjithatë, ajo që dukej e çuditshme është fakti se sipas FFK-së, Komiteti Olimpik i Kosovës nuk e ka përcjellë këtë ftesë tek FFK-ja dhe as nuk ka dorëzuar materialet përkatëse që lidhen me organizimin dhe procedurat e pjesëmarrjes.
Burime të Ballkani.info, të afërta me FFK-në kanë thënë se KOK-u fare nuk e ka njoftuar FFK madje as përfaqësuesen e saj në Komitetin Olimpik, Vjollca Krasniqi.
Në anën tjetër KOK-u, ka thënë se ditën kur është diskutuar kjo çështje, Krasniqi ka qenë në një grumbullim me Kosovën (femrat), dhe se këtë të premte do të takohen me Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, dhe do të diskutojnë për çështjen e pjesëmarrjes së Kosovës (futboll) në këto lojëra.
Në anën tjetër FFK ka mohuar se ka marrë ndonjë ftesë për këtë takim.
“Nuk është e vërtetë kurrfarë takimi për të premten nuk kanë caktuar. Ne nuk e dimë as arsyen as qëllimin që KOK-u nuk na ka njoftuar për këtë ftesë. Kjo na bënë të mendojmë se pse ne të jemi pjesë e këtij institucioni kur ai na injoron dhe mban të fshehur ftesat për futbollin”, i ka thënë një burim i FFK-së, Ballkanit.info.
Gjithsesi, nëse kjo çështje nuk sqarohet në kohë, ekziston rreziku që Kosova të humbasë një rast të rëndësishëm për paraqitje në një arenë ndërkombëtare, ku zakonisht marrin pjesë shtete nga i gjithë rajoni mesdhetar.
