Në reagimin zyrtar, HIB Petrol Sh.P.K. ka mohuar çdo pretendim për shkelje të vendimit në fuqi të Ministrisë, duke theksuar se veprimtaria e saj është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Sipas përfaqësuesit juridik të kompanisë, vendimi i Ministrisë nuk përcakton çmim maksimal për naftën, por vetëm kufirin e marzhës tregtare.
Në këtë kontekst, kompania vlerëson se paraqitja e një çmimi fiks prej 1.91 euro për litër si “tavan” nuk mbështetet në aktin administrativ dhe mund të krijojë pasiguri juridike në treg.
Në reagim thuhet se vendimi në fjalë lejon një marzhë maksimale prej 12 eurocent për litër në shitje me pakicë.
Duke iu referuar Dokumentit Unik Doganor (DUD), HIB Petrol thekson se çmimi i furnizimit të naftës është rreth 1.86 euro për litër. Me aplikimin e marzhës së lejuar, sipas kompanisë, çmimi maksimal arrin deri në 1.98 euro për litër.
Kompania bën të ditur se çmimi aktual prej 1.94 euro për litër është brenda këtij kufiri dhe në përputhje me vendimin përkatës.
Tutje, HIB Petrol thekson se ka respektuar vazhdimisht vendimet e institucioneve dhe mbetet e hapur për bashkëpunim me autoritetet.
Në fund të reagimit, kompania paralajmëron se nëse vazhdojnë, siç i quan, deklarimet pa bazë ligjore, do të ndërmarrë të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e integritetit të saj.
