Sot, në praninë e presidentëve të klubeve, trajnerëve dhe futbollistëve të ekipeve të Superligës në Cineplex në Albi Mall u mbajt ceremonia zyrtare e hapjes së edicionit të ri 2026/27 të Albi Mall Superligës.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, duke i përshëndetur të pranishmit, u shpreh i kënaqur me progresin e futbollit vendor dhe optimist për edicionin e ri, duke vlerësuar kontributin e klubeve në ngritjen e nivelit të kampionatit.
“Falë jush, organizimit tuaj dhe aktiviteteve që ju i bëni, liga jonë është ligë e vlerësueshme tashmë dhe është pothuajse më e mira në rajon në ranglistën e UEFA-s. Pozicioni i 34-të nuk është pozicion i vogël për ne, për faktin që vetëm tash e 10 vjet jemi të pranuar, ku ekipet tona kanë bërë koeficientë dhe kanë bërë rezultate të mira në arenën evropiane”, theksoi Ademi.
Ai vlerësoi angazhimin e klubeve, trajnerëve, futbollistëve, donatorëve dhe drejtuesve të tyre për rritjen e profesionalizmit dhe zhvillimin ekonomik të futbollit vendor, duke veçuar dy risi të rëndësishme për edicionin e ri.
“Njëra është që prej ditës së sotme mund të aplikojë secili trajner i klubeve tuaja për licencën UEFA Pro dhe jam shumë i lumtur që ne kemi arritur në këtë nivel shumë të shpejtë”, u shpreh presidenti i FFK-së.
Risi tjetër, sipas presidentit Ademi do të jetë zhvillimi i më shumë ndeshjeve nën dritat e reflektorëve, si rezultat i projektit të FFK-së për ndriçimin e stadiumeve të Superligës.
“Në qytetet tona do të shohim më shumë ndeshje nën dritat e reflektorëve, sepse kemi filluar procesin dhe projektin e ndriçimit të stadiumeve të Superligës”, tha Ademi.
Sipas tij, këto investime pritet të ndikojnë në rritjen e interesimit të tifozëve dhe në zhvillimin ekonomik të klubeve.
Presidenti Ademi foli edhe për përgatitjen e gjyqtarëve, duke bërë të ditur se ata kanë shënuar rezultate shumë të mira në testet fizike.
“Është një rezultat jashtëzakonisht i mirë i referëve tanë, të cilat i takuan me sukses këto norma dhe për këtë jam shumë krenar, sepse instruktorët ishin të UEFA-s dhe të FIFA-s, e të cilit kishin fjalë shumë të mira për referët tanë”, theksoi ai.
Ademi shtoi se FFK-ja do të vazhdojë të kujdeset për profesionalizmin e të gjithë akterëve të garave, përfshirë delegatët, kontrollorët dhe gjyqtarët, me synimin që ndeshjet të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe profesionale.
Ai u bëri thirrje tifozëve që të jenë pranë klubeve të tyre, ndërsa klubeve, trajnerëve dhe futbollistëve u uroi një garë të fortë dhe të barabartë.
“Ju uroj sukses të gjitha klubeve, të kemi një garë të fortë dhe një garë ‘fair-play’. Edhe vitin e kaluar kishim gara të fortë, e sigurisht edhe këtë edicion do të kemi garë është shumë të barabartë”, deklaroi presidenti i FFK-së.
Ndërkaq, Albi Humolli nga Albi Mall vlerësoi lart bashkëpunimin me FFK-në dhe rëndësinë e partneritetit në mbështetje të futbollit vendor.
“Jemi krenarë që jemi partner të futbollit në vendin tonë. Ky partneritet për ne është shumë më tepër se një sponsorizim. Është dëshmi e përkushtimit tonë për të qenë pranë klubeve, sportit dhe të gjithë atyre që e bëjnë futbollin një element të rëndësishëm të shoqërisë sonë”, u shpreh Humolli.
Në kuadër të ceremonisë u shpalosën edhe fanellat zyrtare të klubeve, të cilat do të qëndrojnë të ekspozuara në Albi Mall përgjatë gjithë edicionit, duke promovuar identitetin dhe krenarinë e secilit klub.
Ceremonia shënoi simbolikisht nisjen e një edicioni të ri, me synimin e përbashkët për më shumë cilësi, profesionalizëm dhe emocione në futbollin tonë.
