Rasti i mos njoftimit me kohë të Federatës së Futbollit të Kosovës nga ana e Komitetit Olimpik të Kosovës për pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, me ekipet kombëtare të grupmoshës U19 për vajza dhe djem ka shkaktuar përplasje të fortë ndërmjet këtyre dy institucioneve sportive.
Sipas informacioneve, ftesa për pjesëmarrje në këtë ngjarje prestigjioze është dërguar nga Federata Italiane e Futbollit në drejtim të KOK-ut për FFK-në. Megjithatë, kjo ftesë nuk është përcjellë në kohë nga KOK-u, duke krijuar një situatë të habitshme dhe të paprecedentë.
Si është e mundur që një institucion si KOK-u të bëjë një lëshim të tillë?! Ky rast është për çdo kritikë dhe ndëshkim. Kush mund ta pengojë rininë tonë, sidomos futbollin për t’u paraqitur në arenën ndërkombëtare? A thua dikush e sheh veten pronar ose bos të institucionit? A janë për ta promovuar dhe mbrojtur sportin drejtuesit në KOK apo për ta penguar? Apo ndoshta edhe xhelozia dhe inati ndaj popullaritetit të futbollit po i pengon dikujt? Gjithsesi dikush duhet të japë llogari për këtë punë, pasi kjo nuk mund të kalon në heshtje. E përgjegjësi për këtë “gafë” të KOK-ut po kërkon me të drejtë edhe kreu i futbollit kosovar. Në FFK ky rast është cilësuar i papranueshëm dhe shqetësues, duke ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën e komunikimit ndërmjet institucioneve sportive në vend. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e konsideron këtë si një veprim të dëmshëm për sportin dhe zhvillimin e futbollit të moshave.
“Ky është një akt i papranueshëm dhe i pakuptueshëm që dëmton drejtpërdrejt sportistët e rinj dhe zhvillimin e tyre. Një qasje e tillë selektive nuk i shërben sportit dhe as interesit të Kosovës”, është shprehur Ademi.
Sipas tij kjo ndodh vetëm te dikush që nuk e ndjenë sportin dhe nuk ka njohuri e përgjegjësi.
“Është vërtetë e pakuptimtë dhe e habitshme, nuk e kisha menduar që u hahet haku sportistëve në zhvillim nga vetë institucionet sportive.
I pyetur se si ka mundur të ndodhë kjo kur dihet se FFK e ka përfaqësuesin e vet në kryesinë e KOK-ut, ai është shprehur: “Pikërisht kjo tregon fshehje pa sens, sepse kjo çështje, edhe nëse nuk ka qenë me muaj të tërë në KOK, duhej të ishte përcjellë me telefon ose email dhe materiali të dërgohej në mënyrë që FFK të njoftohej si institucion. Dy herë kam qenë nënkryetar i KOK-ut dhe anëtar në dy e më shumë mandate, dhe edhe në ato kushte të vështira në të cilat kemi punuar atëkohë, nuk kanë ndodhur gjëra të tilla”.
Në pyetjen cili do të jetë qëndrimi i FFK-së në raport me KOK-un, ai theksoi: “Besoj se KOK e ka obligim ta sqarojë zyrtarisht këtë gabim dhe të mbahet në përgjegjësi dikush, si dhe t’u kërkohet falje futbollisteve dhe futbollistëve të rinj që janë privuar nga e drejta dhe mundësia e pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare”, ka shtuar Ademi.
Ky rast me të drejtë hap debatin e gjerë për mosfunksionimin dhe koordinimin ndërinstitucional në sportin kosovar, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për përfaqësim ndërkombëtar të të rinjve.
Ky duhet të shërbejë si alarm për përmirësimin e bashkëpunimit institucional, në mënyrë që raste të ngjashme të mos përsëriten dhe të mos dëmtohen sportistët e rinj të Kosovës për inate e çështje ndoshta edhe personale.
Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” fillojnë më 21 gusht dhe zgjasin deri më 3 shtator 2026.
