Ushtria amerikane tha se do të fillojë bllokadën e të gjitha hyrjeve dhe daljeve të anijeve nga portet iraniane nga e hëna, duke lehtësuar kërcënimin e mëparshëm të Presidentit Donald Trump për bllokim të plotë të Ngushticën së Hormuzit.
Ky veprim vjen pas bisedimeve maratonë për armëpushim midis SHBA-së dhe Iranit në Pakistan, të cilat përfunduan pa një marrëveshje dhe përgatitën terrenin për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Udhëheqësit iranianë kanë thënë se do t’i përgjigjen bllokadës.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se bllokada do të përfshinte të gjitha portet iraniane, duke filluar nga ora 10:00 e mëngjesit sipas orës lindore amerikane (ora 16:30 në Iran) të hënën.
CENTCOM tha se do të vazhdojë të lejojë kalimin nëpër ngushticë për anijet që udhëtojnë nga portet jo-iraniane, një zbutje e kërcënimit të mëparshëm të Trump për një bllokadë totale të ngushticës.
Shpallja e bllokadës ndaloi trafikun detar që rifilloi në mënyrë të kufizuar pas vendosjes së armëpushimit. Sipas uebsajteve gjurmuese të trafikut në det, më shumë se 40 anije tregtare kanë kaluar ngushticën që nga fillimi i armëpushimit, ndërsa para luftës, afërsisht 100 deri në 135 anije kalonin nëpër të çdo ditë.
Më vonë të dielën, Trump vazhdoi debatin e tij publik me Papa Leon për luftën, duke e sulmuar atë në një postim në Truth Social në të cilin e quajti kreun e Kishës Katolike “të tmerrshëm në politikën e jashtme”. Ky sulm jashtëzakonisht i ashpër erdhi pasi Papa dënoi luftën dhe u kërkoi udhëheqësve politikë të ndalonin luftimet dhe të negocionin për paqe.
Bllokada ndoshta synon të ushtrojë presion shtesë mbi Iranin, i cili ka eksportuar miliona fuçi naftë që nga fillimi i luftës, ndoshta kryesisht përmes të ashtuquajturave tranzite “të errëta” që shmangin sanksionet dhe mbikëqyrjen nga qeveritë perëndimore.
Trump po kërkon gjithashtu të minojë kontrollin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, pasi i kërkoi Teheranit të rihapë kalimin nëpër të cilin kalonte 20 përqind e naftës globale para se të fillonin luftimet.
Bllokada amerikane mund të trondisë më tej tregjet botërore të energjisë.
Çmimet e naftës u rritën në tregtimin e hershëm pas njoftimit të bllokadës. Çmimi i naftës bruto amerikane u rrit me 8 përqind në 104.24 dollarë për fuçi, ndërsa çmimi i Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit me 7 përqind në 102.29 dollarë.
Para luftës, Brent kushtonte rreth 70 dollarë për fuçi në fund të shkurtit.
