Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka shtyrë për në orën 14:00 seancën për zgjedhjen e presidentit, ende pa e nisur atë të paralajmëruarë për në orën 10:00. Ajo e arsyetoi këtë duke thënë se po i pret deputetët e opozitës, që i ka ftuar të marrin pjesë në seancë. Kryeparlaamentarja ka thënë se ky është obligim kushtetues.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se deputetët janë të detyruar të jenë të pranishëm në seancën për zgjedhjen e presidentit. Në nisje të seancës, ajo ka thënë se deputetët është dashur të lajmërojnë për arsyet për mospraninë në seancë.
Sipas saj, këtë e ka bërë vetëm deputetja Afërdita Hajrizi e Grupit Parlamentar të VV-së që ka thënë se mungon “për shkaqe shëndetësore”.
Haxhiu ka arsyetuar pretendimin e saj duke thënë se obligimi i deputetëve për të marrë pjesë në seanca të tilla paraqitet në aktgjykime të Kushtetueses.
Edhe shefja e Grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci i ka bërë thirrje opozitës që të bëhet pjesë e një procesi të rëndësishëm për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.
Në deklarimin e saj para mediave Nagavci ka bërë thirrje të ndalen akuzat mes deputetëve dhe të gjendet zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.
“Besoj që Kryetarja e Kuvendit kur të fillojë vazhdimin e seancës do të bëjë edhe një thirrje për opozitën, jemi dëshmitarë që edhe deputetët e opozitës janë shumica prej tyre këtu në Kuvend dhe i ftojmë që të vijnë në sallë dhe të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për të vazhduar tutje punën duke shmangur edhe një palë zgjedhje të reja. E kemi parë dje edhe kryetarin e LDK-së që prezantoi një listë me nënshkrime ndonëse pa një emër specifik, por e vërteta është që ato nënshkrime nuk i janë njoftuar as kryeministrit Kurti as mua si shefe e GP-së në mënyrë që të bashkëngjisim nënshkrimet e deputetëve tanë… Konsideroj që përtej fajësimit ose hedhjes së akuzave, e rëndësishme është të gjejmë zgjidhjen dhe ta zgjedhim presidentin”, ka thënë ajo.
Nis seanca për presidentin
Ka nisur seanca për zgjedhjen e Presidentit në ditën e fundit të afatit kushtetues. Nëse deri në mesnatë nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Kandidatët e mëparshëm të seancës së 5 marsit, Konjufca dhe Mulhaxha, janë tërhequr nga gara.
Në rundin e parë të votimit, Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë. Opozita, e cila bojkotoi seancën, e ka kritikuar pushtetin për nisjen e mbledhjes pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar këtë si shkelje të Kushtetutës.
