Shoqëria “Patron Ntsh” ka reaguar publikisht lidhur me rrënimin e objektit që ndodhej në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, duke theksuar se investimi në atë pronë ishte realizuar në mënyrë të ligjshme dhe me të gjitha lejet përkatëse nga institucionet kompetente.
Në reagimin e saj, kompania ka bërë të ditur se kishte marrë me qira vetëm tokën, ndërsa objekti ishte investim privat në vlerë prej 1.3 milionë euro.
Në lidhje me rrënimin e objektit që ndodhet në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, informojmë opinionin publik se shoqëria “Patron Ntsh” ka marrë me qira vetëm tokën, ndërsa investimi në vlerë prej 1.3 milionë euro është kryer plotësisht nga vetë “Patron Ntsh”.
Të gjitha lejet e nevojshme për ndërtimin e objektit janë marrë në mënyrë ligjore pranë organeve kompetente.
Nëse krahasojmë vlerën e investimit të madh të kryer nga “Patron Ntsh” me qiranë e parashikuar në kontratë, e cila ishte lidhur për një afat 10-vjeçar, del qartë se qiraja rezulton shumë e ulët për investitorin, duke marrë parasysh shkallën e investimit. Njëjtat tarifa për shfrytëzimin e pronave që i ka lëshuar me qira Ministria e Bujqësisë i ka edhe në tërë Kosovën.
Lirimi i pronës në këtë mënyrë, pa pasur një vendim gjyqësor të formës së prerë, është në kundërshtim me praktikën gjyqësore të gjykatave të Kosovës, e cila në raste të tilla ka qenë vazhdimisht në disfavor të Ministrisë. Ky fakt tashmë është vërtetuar në të gjitha instancat gjyqësore.
Pushteti ekzekutiv është i njëjti që ia ka dhënë tokën me qira shoqërisë “Patron Ntsh” përmes kontratës. Prandaj, dëmi që do t’i kompensohet “Patron Ntsh” në këtë rast është i pashmangshëm dhe pritet të jetë deri në përfundimin e të gjitha proceseve gjyqësore.
Gjithashtu, theksojmë se personat e tjerë të përfshirë në këtë rast nuk janë persona të autorizuar që përfaqësojnë kompaninë tonë dhe as përfaqësojnë qëndrimet tona.
Në shenjë dëshmie për opinionin publik, po i bashkëngjisim këtij njoftimi lejen e ndërtimit.


