Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovë, Edin Kolgeci, po qëndron për vizitë zyrtare në Basel të Zvicrës.
Me ftesë të presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Hassan Moustafa, presidenti Kolgeci të enjten mori pjesë në ceremoninë e hapjes së shtëpisë së re të IHF-së në Basel.
Objektin e ri të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit solemnisht e hapën presidenti Moustafa dhe presidenti i nderit i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
Gjatë qëndrimit në Basel, presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, ka zhvilluar takime me drejtues të IHF-së dhe EHF-së, si dhe me drejtues të shumtë të federatave nacionale të hendbollit.
Po ashtu presidenti Kolgeci ka pasur takim shumë të ngrohtë me mikun e madh të Kosovës, presidentin e nderit të IOC-së, Thomas Bach. Bach hapi dyert e pranimit të Kosovës në IOC, kurse është interesuar për zhvillimin e hendbollit dhe sportit në përgjithësi, në vendin tonë.
FHK-ja ka raporte shembullore me shtëpinë botërore të hendbollit, por edhe me atë evropiane.
