Nuk shkrova. Sikur fjala mund ta trembte fatin. Sikur kjo ëndërr, e rritur me vite të tëra në heshtje, të ishte aq e brishtë sa të prishej nga një mendim i thënë me zë. Por brenda meje gjithçka fliste… më sillte vetëm dy pamje: fillimin dhe mbarimin.
Shkruan Driton Latifi
Fillimi ishte i ashpër.
Ishte kohë kur jeta nuk matej me ditë të bukura, por me ditë të përballuara. Kur mbijetesa ishte qëllimi i vetëm. Kur njerëzit tanë largoheshin me lot në sy dhe me një shpresë të vogël në zemër. Kur disa mbetën përgjithmonë në kujtime… dhe të tjerët jetuan për të treguar se nuk u dorëzuam.
Në ato vite, sporti nuk ishte vetëm lojë. Ishte strehë. Ishte një copëz drite në një realitet të errët. Ishte mënyra jonë për t’u ndjerë të gjallë, për të mos harruar se edhe ne kemi të drejtë të ëndërrojmë.
Dhe mbi atë dhimbje u rritën gjenerata të reja.
Fëmijë që nuk i përjetuan të gjitha ato, por i mbartin në gjak. Që sot vrapojnë pas një topi me një liri që dikur ishte ëndërr. Që sot guxojnë të besojnë, sepse dikush para tyre sakrifikoi gjithçka.
Kur më thoshin “nuk është koha për futboll”, ndoshta kishin të drejtë për kohën… por jo për zemrën. Sepse zemra jonë gjithmonë ka rrahur edhe për këtë. Dhe kur erdhi pranimi në 2016, nuk ishte vetëm sport — ishte një plagë që filloi të shërohej.
Sot… jemi këtu.
Pranë një momenti që dikur dukej i pamundur.
Luajmë ndaj miqve — atyre që në ditët më të rënda na trajtuan si njerëz, jo si numra. Por në fushë, këtë herë, kemi një borxh ndaj vetes. Ndaj atyre që nuk arritën ta shohin këtë ditë. Ndaj atyre që na lanë amanet të mos ndalemi.
Dhe e martja…
E martja nuk është vetëm një ndeshje.
Është një histori që kërkon drejtësinë e saj. Është një popull që ka kaluar përmes dhimbjes dhe ka zgjedhur prapë të shpresojë. Është një zemër që ka rrahur për dekada… dhe tani kërkon të dëgjohet.
Kur të fryjë bilbili, nuk do të jenë vetëm 11 lojtarë në fushë.
Do të jenë hapat e atyre që u larguan.
Do të jenë lotët e atyre që mbijetuan.
Do të jenë ëndrrat e fëmijëve që sot besojnë më shumë se kurrë.
Sepse ne nuk luajmë vetëm për një vend në botëror.
Ne luajmë për të dëshmuar që edhe pas errësirës më të thellë… lind drita.
Dhe ndoshta… kjo nuk është thjesht një ndeshje.
Kjo është një premtim që më në fund po bëhet realitet.
Djema Kosova është me ju… 🇽🇰
