Trajneri i njohur kroat, Nenad Shoshtariq, është përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave.
Shoshtariq është prezantuar të mërkurën pasdite në një konferencë për media, të mbajtur në ambientet e Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, i ka uruar mirëseardhje trajnerit të njohur kroat, duke theksuar se Shoshtariq tashmë është një bashkëpunëtor i dëshmuar i federatës.
Kolgeci ka bërë të ditur se me Shoshtariqin në krye të shtabit teknik synohen rezultate dhe suksese të reja me Kombëtaren e Kosovës.
Në fjalën e tij, Shoshtariq ka theksuar se objektivi kryesor është kualifikimi i Kosovës në një ngjarje të madhe ndërkombëtare, qoftë Kampionat Evropian apo Kampionat Botëror.
“Unë nuk kam më çfarë të dëshmoj në hendboll. Për mua, kjo është një sfidë e re dhe shumë interesante”, ka deklaruar trajneri kroat.
Shoshtariq ka folur edhe për Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, të cilat nisin më 21 gusht në Itali. Ai ka vlerësuar se kjo garë do të jetë një përvojë shumë e rëndësishme për hendbollistet e reja të Kosovës.
Përzgjedhësi i ri nuk ka humbur kohë dhe menjëherë ka nisur punën me Kombëtaren.
Një karrierë e jashtëzakonshme
Nenad Shoshtariq, 67 vjeç, ka një karrierë të gjatë dhe të pasur në hendboll.
Ai e ka drejtuar Kombëtaren A të Kroacisë në tri periudha, nga viti 1997 deri më 1998, nga 2001 deri më 2003 dhe nga 2017 deri më 2023.
Suksesin më të madh me Kroacinë e arriti në Kampionatin Evropian të vitit 2020, ku e udhëhoqi përfaqësuesen kroate drejt medaljes së bronztë. Në Kampionatin Botëror të vitit 1997, Kroacia nën drejtimin e tij u rendit në vendin e gjashtë.
Shoshtariq ka drejtuar edhe Kombëtaret e moshave të Kroacisë, U18, U19 dhe U20.
Në nivel ndërkombëtar, ai ka qenë përzgjedhës edhe i Jordanisë në konkurrencën e meshkujve dhe femrave. Në vitin 1999, me të dyja përfaqësueset, arriti vendin e tretë në Lojërat Pan-Arabe.
Suksese të shumta ka regjistruar edhe në nivel klubesh. Me Lokomotiva Zagrebin fitoi Challenge Cup në vitin 2017, ndërsa me Krash Zagreb ishte finalist i Kupës së Fituesve të Kupave.
Me Lokomotiva Zagrebin ka arritur gjithashtu dy herë në gjysmëfinale të Challenge Cup, ndërsa gjatë karrierës së tij ka fituar tituj të kampionit të Kroacisë dhe ka pasur suksese edhe me klube në Kinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera.
Karrierën si trajner e nisi në vitin 1990 dhe gjatë këtyre dekadave është nderuar me shumë çmime individuale. Ai është shpallur disa herë trajneri më i mirë i Kroacisë.
Së fundmi, Shoshtariq ishte trajner i ekipit të meshkujve të Zagrebit, skuadër që garon në Ligën e Kampionëve.
Përveç punës në bankinë, ai është edhe ligjërues i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit dhe Federatës Evropiane të Hendbollit. Ka publikuar materiale të shumta profesionale dhe vazhdimisht ligjëron për trajnerë në vende të ndryshme të Evropës.
Me ardhjen e Shoshtariqit, Kosova synon të bëjë një hap të rëndësishëm përpara dhe të luftojë për objektivin madhor, kualifikimin në një Kampionat Evropian apo Botëror.
