Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) do ta mbështesë financiarisht Odën e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës me 130 mijë e 54 euro.
Për këtë qëllim, sot është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet MMPH-së dhe Odës së Inxhinierëve të Kosovës, të përfaqësuar nga kryetari Arsim Rapuca.
Sipas njoftimit, kjo mbështetje financiare synon forcimin e kapaciteteve dhe sigurimin e funksionimit të Odës, në mënyrë që ajo të përmbushë përgjegjësitë e saj ligjore.
Nga MMPH-ja është bërë e ditur se bashkëpunimi me odat profesionale paraqet një qasje të re institucionale, me synimin për të kontribuar në zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe ngritjen e standardeve profesionale përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me profesionistët e fushës.
