Me 91 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji u votua në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, pasi paraprakisht ishte miratuar në parim edhe nga Komisioni për Legjislacion, i cili e kishte përkrahur unanimisht. Assembly of Kosovo
Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë.
Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.
Një tjetër dispozitë e propozuar lidhet me mundësinë që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
PDK-ja ka argumentuar se ndryshimet synojnë rritjen e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies ndaj punës së Dhomave të Specializuara, duke theksuar se nisma nuk synon shpërbërjen e tyre.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës më 2 tetor kishte konstatuar se nuk kishte pengesa ligjore për procedimin e projektligjit. Kuvendi më herët gjatë seancës kishte miratuar edhe shmangien e procedurave të rregullta për shqyrtimin e tij. Periskopi
Më 16 shtator, Haga dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet për krime lufte. Të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Mbrojtja ka paralajmëruar apelimin e aktgjykimit.
