Raporti i auditimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për vitin 2025 nxjerr në pah një rritje të jashtëzakonshme të mbështetjes financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), duke e bërë basketbollin një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve shtetërore gjatë vitit të kaluar.
Sipas raportit të auditimit të FBK-së, gjatë viteve 2024 dhe 2025, FBK ka përfituar gjithsej 813 mijë e 332 euro nga MKRS, shkruan AsistiOnline.com
- 2024: 241 mijë e 950 euro.
- 2025: 571 mijë e 382 euro.
Vetëm brenda një viti, financimi i ministrisë për FBK-në është rritur me 329 mijë e 432 euro, ose rreth 136 për qind, duke u rritur nga 241 mijë e 950 euro në 571 mijë e 382 euro.
Interesant është fakti se, derisa basketbolli ka përfituar një rritje të konsiderueshme të mbështetjes financiare, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka marrë 250 mijë e 500 euro nga MKRS në vitin 2024 dhe po aq, 250 mijë e 500 euro, edhe në vitin 2025, pa asnjë rritje të financimit.
Kjo do të thotë se në vitin 2025, FBK ka përfituar 320 mijë e 882 euro më shumë nga MKRS sesa Federata e Futbollit të Kosovës, pavarësisht se futbolli është larg sporti me numrin më të madh të klubeve, sportistëve dhe garave në vend.
Megjithatë, pavarësisht kësaj mbështetje rekord nga shteti, raporti i auditimit kishte evidentuar se gjendja financiare e FBK-së mbetet shqetësuese.
FBK e kishte mbyllur vitin 2025 me 742 mijë e 763 euro llogari të pagueshme dhe akruale, ndërsa detyrimet e përgjithshme afatshkurtra arritën në 926 mijë e 333 euro. Po ashtu, raporti evidenton edhe një deficit të akumuluar prej 536 mijë e 977 euro. Edhe pse këto shifra tashmë janë rritur, pasi jemi edhe 6 muaj më vonë (2026), raportohet se FBK-ja vetëm se ka thelluar deficitin e saj dhe përkundër rritjes së ndjeshme të fondeve publike, institucioni kryesor i basketbollit në vend, vazhdon të jetë i zhytur në borxhe.
Pra, bazuar në të dhënat zyrtare, Federata e Basketbollit të Kosovës ka përfituar mbështetjen më të madhe shtetërore në historinë e saj të fundit, por as kjo nuk i ka ndihmuar të dalë nga situatat e vështira financiare. /AsistiOnline.com/
