Delegacioni i Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës ka zhvilluar takim me presidentin e Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve Gjyqësorë, Marc Schmitz, në kuadër të punimeve që po mbahen në Paris.
Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës (OPPK) po merr pjesë në punimet e Këshillit të Përhershëm të Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve Gjyqësorë (UIHJ), të cilat po zhvillohen nga 25 deri më 27 nëntor 2026 në Paris të Francës.
Delegacioni kosovar, i përbërë nga nënkryetari Driton Govori dhe anëtarët e Bordit, Gëzim Gjoshi dhe Përparim Xhelili, ka zhvilluar një takim me presidentin e UIHJ-së, Marc Schmitz.
Pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar synon thellimin e bashkëpunimit me institucionet homologe, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e pozitës institucionale të Odës.
Përmes kësaj pjesëmarrjeje, OPPK synon të kontribuojë në avancimin e sistemit të përmbarimit privat në Kosovë, duke ndjekur standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
