Carlo Ancelotti ka sqaruar se refuzimi i tij për të marrë drejtimin e kombëtares së Italisë nuk ka pasur të bëjë me çështje kontraktuale. Në një intervistë për ESPN, trajneri italian foli për herë të parë rreth kontaktit që kishte pasur nga ish-drejtori teknik i Italisë, Paolo Maldini.
Ai shpjegoi se vendimi i tij buron nga angazhimi që ka ndaj Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF) dhe shtetit brazilian. Sipas tij, Brazili e ka pritur me shumë ngrohtësi gjatë vitit të parë të punës, ndaj ai dëshiron të vazhdojë angazhimin e tij atje.
“Nuk është çështje kontrate, kjo nuk është arsyeja,” deklaroi Ancelotti.
Ancelotti theksoi se e ka falënderuar Federatën Italiane të Futbollit, por vlerëson se është e drejtë dhe e ndershme të qëndrojë në një vend që i ka ofruar mundësinë për të punuar. Trajneri u emërua në krye të Brazilit një vit më parë dhe ka nënshkruar një zgjatje të kontratës deri në vitin 2030, përpara fillimit të Kupës së Botës.
Përpara se të kthehej te Andrea Pirlo, ish-drejtori teknik i Italisë, Paolo Maldini, kishte kontaktuar si Ancelottin ashtu edhe Pep Guardiolën për t’u ofruar postin e trajnerit.
Megjithatë, presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, refuzoi të konfirmonte emërimin e Pirlos, zyrtarisht për shkak të lidhjeve të tij me një kompani ruse të basteve.
Maldini dha dorëheqjen së bashku me këshilltarin e tij, Leonardon. Kjo situatë çoi në vendimin e Malagò-s për të emëruar Roberto Mancinin si trajner të ri të Italisë, ndërsa Claudio Ranieri u caktua në postin e drejtorit teknik. Maldini dhe Ancelotti kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, pasi kanë punuar së bashku te Milani, ku fituan trofe të shumtë, përfshirë dy tituj të UEFA Champions League.
Burimi: football-italia.net
