Për vite me radhë, Kosova ka qenë një burim i rëndësishëm futbollistësh për Kombëtaren e Shqipërisë. Nga Arian Beqaj, njëri prej emrave të parë të kësaj historie, e deri te shumë futbollistë të tjerë të formuar në shkollën e futbollit kosovar.
Shqipëria mori lojtarë të gatshëm nga Kosova, madje edhe kapitenë të Kombëtares U21, si Ardian Ismajli, Dion Berisha dhe Etnik Bruti. Kishte edhe raste kur futbollistë të grumbulluar nga Kosova, si Kastriot Demaku, kalonin te Shqipëria.
Të mos flasim për Mirlind Dakun, Arbër Hoxhën apo portierin Etrit Berisha, i cili vazhdoi të përfaqësonte Shqipërinë, si dhe shumë emra të tjerë të lindur, rritur apo të formuar në Kosovë.
Megjithatë, këto lëvizje asnjëherë nuk u konsideruan pengesë për raportet ndërmjet FFK-së dhe FSHF-së. Në Shqipëri gjithmonë ishte thënë se gjithçka ishte në rregull.
Por paradoksi po shfaqet tani!
Kosova po afron Enis Rexhepin dhe Lutfi Dalipin, dy futbollistë të zhvilluar në Gjermani dhe Zvicër, por që kanë rrënjë shqiptare dhe lidhje familjare me Kosovën.
Dallimi është se Kosova nuk po merr futbollistë të formuar nga Shqipëria, as lojtarë të saj të gatshëm apo pjesëtarë të Kombëtares shqiptare. Ajo po afron futbollistë që kanë rrënjë nga Kosova dhe që, pavarësisht vendit ku kanë lindur apo janë zhvilluar, kanë zgjedhur të përfaqësojnë Dardanët.
Pra, Kosova nuk po ia merr asgjë Shqipërisë!
Nëse për vite me radhë Shqipëria ka përfituar nga futbollistët e prodhuar nga shkolla kosovare e futbollit, atëherë është po aq e natyrshme që Kosova të afrojë futbollistë me rrënjë nga Kosova.
Megjithatë, shohim shkrime kur mundohen të krijojnë narrativa të tjera, derisa ishte normale angazhimi i futbollistëve që luajtën për Kosovën të kalonin te Shqipëria. Pse nuk është normale që një futbollist i krijuar në Zvicër apo Gjermani të zgjedhë Kosovën, sepse rrënjët i ka nga Kosova, qoftë edhe nëse ka zhvilluar ndonjë ndeshje për ekipet zinxhir të Shqipërisë?
Shqipëria ka Kombëtaren e saj, Kosova të vetën. Dy Kombëtare, por me rrënjë, histori dhe gjak të përbashkët.
Respekt për zgjedhjen e secilit futbollist! 🇽🇰🇦🇱
