– Një prej figurave kryesore të drejtimit të FC Drenicës gjatë vitit të fundit, Faton Seferi, ka dhënë dorëheqje me efekt të menjëhershëm nga posti i nënkryetarit të klubit, duke njoftuar njëkohësisht edhe tërheqjen nga marrëveshja për privatizimin dhe zhvillimin e klubit.
Në një letër të gjatë publike drejtuar qytetarëve të Drenicës, tifozëve, futbollistëve, stafit dhe institucioneve, Seferi e cilësoi këtë si vendimin më të vështirë të jetës së tij, duke theksuar se ai është rezultat i një viti të mbushur me sakrifica, përkushtim dhe sfida.
Ai rrëfen se ishte ftuar fillimisht nga Betim Dajaku, ndërsa më pas ishte takuar me përfaqësuesit e Komunës së Skenderajt për të marrë përsipër drejtimin e klubit, në një kohë kur partneri i tij gjerman kishte shprehur gatishmëri për të investuar në futbollin kosovar.
Sipas Seferit, procesi u përball me pengesa të shumta, pasi borxhet e klubit rezultuan dukshëm më të larta sesa ishin paraqitur fillimisht, ndërsa privatizimi nuk mund të realizohej për shkak të kufizimeve ligjore. Pavarësisht kësaj, ai thotë se investoi mjete personale për shlyerjen e borxheve, financimin e klubit dhe restaurimin e fushës pas dëmtimeve nga vërshimet.
Në letrën e tij, Seferi falënderon futbollistët, stafin, tifozët, sponsorët, Komunën e Skenderajt, Federatën e Futbollit të Kosovës dhe presidentin Agim Ademi për mbështetjen, si dhe Ministrinë e Sportit për premtimet lidhur me investimet infrastrukturore.
Ai thekson se largohet nga funksioni pasi ka arritur në përfundimin se nuk mund t’i ofrojë më klubit atë që i nevojitet, por premton se do të vazhdojë ta ndihmojë FC Drenicën sa herë që të ketë mundësi.
“Unë sot po largohem nga funksioni, por jo nga zemra e Drenicës”, përfundon mesazhin e tij Faton Seferi.
:::
