Qyteti i Frankfurtit ishte fole e futbollit shqiptar në këtë fundjavë.
Në një atmosferë fantastike dhe organizim për lakmi, ekipet shqiptare në Gjermani u përballën mes vete për ta nxjerrë në fund më të mirin.
E më i miri në fund doli të ishte FC Kastrioti Stukenbrock, i cili është fitues i Kupës së Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjermani.
Pas paraqitjeje të shkëlqyera gjatë turneut, FC Kastrioti Stukenbrock triumfoi në finale ndaj FC Alba Augsburg, duke ngritur lart trofeun pas gjuajtjes të penalltive.
Kapiteni Naim Pajaziti ndihet i lumtur për suksesin e radhës së tij me shokë. Ai ndihet i emocionuar pasi e fitoi këtë trofe për herë të katërt në karrierë.
Portieri i dikurshëm i skuadrave të mëdha kosovare, Feim Statovci ishte në krye të detyrës. Edhe ai ishte i lumtur për këtë trofe.
Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjermani, Afrim Osmanaj, e vlerësoi lart organizimin e turneut, duke theksuar se tradita vazhdon pavarësisht temperaturave të larta që po mbizotërojnë në Frankfurt.
Numri 1 i futbollit shqiptar në Gjermani njëherësh e uroi ekipin fitues.

Para fillimit të turneut, kryetari Afrim Osmanaj e nderoi Ruzhdi Statovcin me titullin “Kryetar Nderi” i Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë 24 viteve në krye të federatës.

Edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, Enver Muzliukaj, e vlerësoi lart punën dhe organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjermani, duke theksuar se angazhimi i tyre meriton respekt.

Rëndësia e kësaj gare shkon përtej Gjermanisë. Fituesi i Kupës do të përballet me fituesin e Kupës së Shqiptarëve në Zvicër, Kosova Zurich.
Ndërsa, skuadra fituese e atij dueli do ta sfidojë fituesin e Kupës së Kosovës, Dukagjinin e Klinës. /Gazeta Express
