Në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, bashkëpunëtorë dhe miq të shumtë kanë kujtuar figurën dhe trashëgiminë e tij të pashlyeshme.
Në mes të shumë kujtimeve, ka veçuar një evokim plot nostalgji dhe emocione nga legjenda tjetër e futbollit tonë, njëherësh drejtori aktual i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti.
Sahiti ka deklaruar se Vokrri ka qenë idoli i tij i fëmijërisë dhe i karrierës, duke shtuar se mungesa e tij ndihet e madhe në çdo hap të futbollit kosovar, por duke potencuar se legjendat e përmasave të tilla nuk vdesin kurrë.
“Vokrri ka qenë idoli im, na mungon shumë. Legjendat nuk vdesin! Isha me fat që e kam pasur mik, shok, koleg e gjithçka në jetë”, është shprehur i përlotur Muharrem Sahiti, duke kujtuar periudhat e arta të bashkëpunimit me ish-kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Përtej miqësisë së tyre të gjatë profesionale, Sahiti ka sjellë në mendje edhe një detaj të jashtëzakonshëm historik që lidh karrierat e të dy futbollistëve të shquar.
Para se Fadil Vokrri të largohej nga KF “Prishtina” për t’u transferuar te Partizani i Beogradit, ai kishte bërë një deklaratë publike që bëri bujë të madhe në opinionin sportiv të kohës.
Vokrri, si sulmuesi më i madh i asaj gjenerate, kishte thënë publikisht: “Mua në Prishtinë mund të më zëvendësojë vetëm Muharrem Sahiti”.
Në atë kohë, Sahiti ishte në një moshë shumë të re dhe mbronte ngjyrat e klubit “Crvena Zvezda” nga Gjilani (më vonë KF Gjilani), që garonte me sukses në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë.
Ky vlerësim maksimal nga idoli i të gjithë shqiptarëve mbetet një nga kapitujt më krenarë në jetën sportive të Sahitit.
Sot, tetë vjet pas kalimit të Vokrrit në amshim, Muharrem Sahiti vazhdon ta çojë përpara amanetin dhe vizionin e mikut të tij, duke punuar në krye të menaxhimit të Përfaqësueses së Kosovës, për ndërtimin e një futbolli sa më cilësor dhe të dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare.
