Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u është drejtuar me letër përmes kanaleve diplomatike sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke ua përcjellë raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi bazën e gjetjeve të tij. Njëkohësisht, letra u është përcjellë edhe ministrave të Jashtëm të Zvicra, Norvegjia, Turqia dhe Kanadaja.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, raporti është shpërndarë gjithashtu te zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, presidenten e Parlamenti Evropian, Roberta Metsola, si dhe drejtues të Këshilli i Evropës.
Në letër, Avokati i Popullit shpreh shqetësime për garantimin e një gjykimi të drejtë në procedurat e Dhomave të Specializuara, duke iu referuar gjetjeve të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales”. Ai thekson se institucioni që drejton ka monitoruar vazhdimisht respektimin e të drejtave themelore dhe kushtet e të paraburgosurve, ndërsa për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme ka angazhuar BHRC-në për një vlerësim të pavarur.
Sipas raportit, janë identifikuar probleme serioze në mbrojtjen e garancive procedurale, veçanërisht në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm.
“Në këtë kontekst, rikujtohet se këto standarde janë të garantuara nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat zbatohen drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës përmes Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Qelaj nënvizon se respektimi i këtyre parimeve është thelbësor për legjitimitetin dhe besueshmërinë e proceseve gjyqësore, duke kërkuar që praktikat e gjykatës të përputhen plotësisht me standardet më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë.
Ai thekson se adresimi i shqetësimeve të evidentuara është i domosdoshëm jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor.
Avokati i Popullit rikujton angazhimin e vazhdueshëm të Kosova ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se themelimi i Dhomave të Specializuara në Hagë është bërë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës. Ai veçon gjithashtu faktin se përfaqësues të lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë, si dëshmi e përkushtimit institucional ndaj llogaridhënies dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Letra e plotë:
Avokati i Popullit i drejtohet me letër Sekretarit të ShBA-së dhe shteteve financuese lidhur me gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara të Kosovës
Prishtinë, 6 maj 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, nëpërmjet së cilës ua ka përcjellë edhe raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe ka paraqitur shqetësimet e tij, të bazuara në gjetjet e këtij raporti.
Kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, z. Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë. Raporti u është dërguar znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, znj. Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe z. Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës.
Në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Ëales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit.
Avokati i Popullit i ka informuar ata se Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar vazhdimisht përputhshmërinë me të drejtat themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), si dhe kushtet e të paraburgosurve. Ai thekson në letër se, si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka angazhuar organizatën BHRC për të kryer një vlerësim paraprak të pavarur, si rezultat i shqetësimeve të tij serioze dhe të vazhdueshme lidhur me respektimin e të drejtave themelore në kuadër të procedurave gjyqësore në DhSK.
Raporti në fjalë ka identifikuar shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e garancive themelore procedurale që u ofrohen të akuzuarve, e në veçanti, me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Këto parime përbëjnë garanci themelore në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtësisë penale ndërkombëtare.
Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë
dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore.
Këto standarde të njohura ndërkombëtarisht përbëjnë mbrojtje thelbësore për të siguruar legjitimitetin dhe besueshmërinë e procedurave penale të zhvilluara në kuadër të mekanizmave gjyqësorë ndërkombëtarë ose hibridë, thuhet në letër.
Avokati i Popullit thekson rëndësinë e sigurimit që praktikat dhe procedurat e gjykatës të vazhdojnë t’u përmbahen plotësisht standardeve më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë gjyqësore. Ai shtoi se adresimi i shqetësimeve të identifikuara në raport është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave procedurale të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë dhe integritetit të procesit gjyqësor.
Avokati i Popullit ka rikujtuar në letër se Republika e Kosovës ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj parimeve të drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. Më tutje, theksohet se Republika e Kosovës ka përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare duke themeluar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të legjislacionit zbatues nga institucionet e saj demokratike. Avokati i Popullit nënvizon gatishmërinë e qartë dhe të pakontestueshme të Kosovës për të kontribuar në mekanizmat ndërkombëtarë të llogaridhënies dhe për të mbështetur standardet më të larta të drejtësisë.
Në këtë letër, Avokati i Popullit po ashtu thekson se përfaqësuesit e lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht në juridiksionin e Gjykatës për t’u përballur me akuzat e ngritura kundër tyre. Ai shtoi se një sjellje e tillë tregon një angazhim të fortë institucional nga Republika e Kosovës dhe udhëheqja e saj politike ndaj parimeve të llogaridhënies, bashkëpunimit gjyqësor dhe respektimit të proceseve ligjore ndërkombëtare.
