FIFA ka publikuar një shkrim të veçantë për FIFA Talent Academy Kosovo, duke e cilësuar ngjarjen e mbajtur në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali si një moment historik për zhvillimin e futbollit në vend.
Sipas FIFA-s, akademia është e para e këtij lloji në Ballkan dhe njëra nga vetëm katër FIFA Talent Academies aktive në Evropë, të cilat funksionojnë në kuadër të skemës së zhvillimit të talenteve të FIFA-s, të udhëhequr nga shefi i zhvillimit global të futbollit, Arsène Wenger.
Akademia është plotësisht funksionale që nga fillimi i vitit 2026 dhe ndjek një model të integruar, ku futbollistët stërviten katër ditë në javë, ndërsa gjatë fundjavës vazhdojnë të luajnë për klubet e tyre.
🇽🇰 Agim Ademi: Një ditë e veçantë për Kosovën
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi këtë festë si një ditë të veçantë për Kosovën dhe deklaroi se akademia do të ndihmojë në formimin e futbollistëve që një ditë mund ta veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës.
Ademi theksoi se besimi dhe mbështetja e FIFA-s kanë qenë vendimtare në krijimin e kushteve për zhvillimin e talenteve kosovare.
Ai tha se kjo është një ditë kur nuk duhet folur vetëm për atë që është arritur, por mbi të gjitha për atë që synohet të ndërtohet në të ardhmen.
“E ardhmja jonë është këtu sot, para nesh, këta fëmijë, vajza dhe djem me ëndrra të mëdha. Është përgjegjësia jonë t’u japim mundësinë të zhvillojnë talentin, pasionin dhe dashurinë për futbollin në kushtet më të mira”, deklaroi Ademi.
Ai falënderoi edhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj futbollit kosovar.
🏟️ Gashani: Investim në potencialin e të rinjve
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, tha se akademia përfaqëson një hap përpara në zhvillimin e futbollit.
Sipas tij, projekti është një investim në potencialin e të rinjve, profesionalizimin e sportit dhe krijimin e mundësive që talentet e Kosovës të zhvillohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
🌍 FIFA: Ky është vetëm fillimi
Në këtë ngjarje morën pjesë figura të gjeneratës së artë të futbollit të Kosovës, ministri i Sportit, trajnerët e Kombëtareve të Kosovës në të gjitha kategoritë e moshave, zyrtarë të FFK-së, përfaqësues të klubeve të Superligës së Kosovës në konkurrencën e meshkujve dhe femrave, si dhe prindërit e fëmijëve pjesë e akademisë.
Udhëheqësi i TDS të FIFA-s në Kosovë, Arnar Vidarsson, tha se ky moment është vetëm fillimi.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet FIFA-s dhe FFK-së do të vazhdojë dhe do të forcohet edhe më shumë, ndërsa paralajmëroi projekte të reja, përfshirë analizën e performancës të lidhur drejtpërdrejt me FIFA Talent Academy Kosovo dhe stafin e saj.
“Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar që talentet e sotme të bëhen yjet e së ardhmes së Kosovës”, tha Vidarsson.
👧🏻 Akademi edhe për vajzat
FIFA thekson se paralelisht me akademinë për djem është krijuar edhe FIFA Talent Academy për vajza, duke reflektuar përkushtimin e FFK-së për mundësi të barabarta në zhvillimin e futbollit.
Për përzgjedhjen e grupit të parë është zhvilluar një proces mbarëkombëtar i identifikimit të talenteve. Ky proces është mbështetur edhe nga një Elite Talent ID Workshop, i organizuar në bashkëpunim me Feyenoord dhe Coach Intelligence Lab, duke marrë për bazë qasje të përdorura në Skoci dhe Holandë.
Ndërkohë, në kuadër të projekteve të TDS për vitin 2026, FFK-ja po krijon edhe një Njësi të Performancës së Lartë, e pajisur me sisteme kamerash dhe mjete për analizën e performancës.
FIFA ka bërë të ditur se ngjarje të tjera të ngjashme për FIFA Talent Academies do të organizohen në mbarë botën gjatë viteve 2026 dhe 2027.
